LIGJ Nr.7764, datë 2.11.1993 - PËR INVESTIMET E  HUAJA 
  Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 "Për  dispozitat kryesore kushtetuese", me propozimin e Këshillit të Ministrave,
  KUVENDI POPULLOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË 
  VENDOSI:
  Neni 1 - Dispozita të përgjithshme 
  Për efekt të  këtij ligji, me "territor" nënkuptohet territori nën sovranitetin e  Republikës së Shqipërisë, duke përfshirë ujërat territoriale dhe zonën detare e  shelfin kontinental, mbi të cilat Republika e Shqipërisë, në përputhje me  normat ndërkombëtare, ushtron të drejtat e saj sovrane e ligjore. 
  "Investitor i huaj"  Nënkuptohet:
  a) çdo person  fizik që është shtetas i një vendi të huaj; ose
  b) çdo person fizik që është shtetas i Republikës së Shqipërisë, por me banim të  përhershëm jashtë vendit; ose
  c) çdo person juridik, që është themeluar sipas ligjit të një vendi të huaj, i  cili drejtpërdrejt ose tërthorazi kërkon të kryejë ose është duke kryer një  investim në territorin e Republikës së Shqipërisë në përputhje me ligjet e saj,  ose ka kryer një investim në përputhje me ligjet që i përkasin periudhës nga  data 31.7.1990 e në vijim. 
  "Investim i  huaj" Nënkuptohet çdo lloj investimi në  territorin e Republikës së Shqipërisë, të zotëruar drejtpërdrejt ose tërthorazi  nga një investitor i huaj, i cili konsiston në:
  a) pasuri të lujtshme dhe të palujtshme, të prekshme dhe të paprekshme, ose  ndonjë lloj tjetër të drejte pasurore;
  b) një shoqëri, të drejta që rrjedhin nga çdo formë pjesëmarrjeje në një  shoqëri, me aksione etj.
  c) huatë, detyrimet në të holla ose detyrimet në një veprimtari që ka vlerë  ekonomike dhe që lidhen me një investim;
  ç) pasurinë intelektuale, duke përfshirë veprat letrare dhe artistike,  tekniko-shkencore, regjistrimet e zërit, shpikjet, projektet industriale,  skemat e qarqeve të integruara, knoë hoë, markat tregtare, disenjot e markave  tregtare dhe emrat tregtare;
  d) çdo të drejtë të njohur me ligj ose kontrata, dhe çdo licencë ose leje të  dhëna në përputhje me ligjet. 
  "Mosmarrëveshje për një investim të huaj" nënkuptohet çdo mosmarrëveshje ose pretendim që lind nga një investim i  huaj ose që ka lidhje me të. 
  "Të ardhura" nënkuptohet një shumë  parash, që rrjedh ose është e lidhur me një investim, duke përfshirë fitimin,  dividentin, interesin, rivlerësimin e kapitalit, tarifat e drejtimit e të  administrimiit, tarifat e asistencës teknike ose tarifa të tjera; ose  kontribute në natyrë.
Neni  2 - Lejimi dhe trajtimi 
  1. Investimet e huaja në  Republikën e Shqipërisë nuk kushtëzohen nga një autorizim paraprak. Ato lejohen  dhe trajtohen mbi bazën e kushteve jo më pak të favorshme se ato që iu njihen  investimeve vendase në kushte të ngjashme, me përjashtim të pronësisë mbi  tokën, e cila rregullohet me ligj të veçantë.
  2. Në të gjitha rastet dhe në çdo kohë investimet kanë trajtim të barabartë e  të paanshëm, gëzojnë mbrojtje e siguri të plotë.
  3. Në çdo rast investimet e huaja kanë një trajtim jo më pak të favorshëm se ai  që i sigurojnë normat përgjithësisht të pranuara të së drejtës ndërkombëtare.
  Neni 3 - E drejta e punësimit 
  Një shoqëri me  pjesëmarrje të investimeve të huaja ka të drejtë të punësojë edhe shtetas të  huaj.
  Neni 4 - Shpronësimi dhe shtetëzimi 
  Investimet e  huaja nuk do të shpronësohen ose shtetëzohen në mënyrë të drejtpërdrejtë a të  tërthortë, nuk do të jenë objekt i ndonjë mase tjetër të barasvlefshme me to,  me përjashtim të rasteve të veçanta në interes të përdorimit publik të  përcaktuara me ligj, pa diskriminim, me kompensim të menjëhershëm, të  përshtatshëm dhe efektiv e në përputhje me prodecurat ligjore.
  Neni 5 - Kompensimi për shpronësimin dhe shtetëzimin 
  1. Kompensimi  është i barasvlefshëm me vlerën reale të tregut të investimit të shpronësuar,  menjëherë përpara se akti i shpronësimit të ndërmerrej ose të bëhej i njohur,  kushdo prej tyre qoftë më i parë.
  2. Kompensimi paguhet pa vonesë dhe përfshin edhe interesin që nga momenti i  shpronësimit, i llogaritur me një normë të arsyeshme tregu; është plotësisht i  transferueshëm dhe i konvertueshëm i llogaritur sipas kursit të shkëmbimit në  treg në datën e shpronësimit.
  3. Investitori i huaj ka të drejtë të kërkojë një rishikim të menjëhershëm nga  autoritetet gjyqësore në përputhje me dispozitat e nenit 8 të këtij ligji, të  aktit të shpronësimit ose kompensimit.
  Neni 6 - Lufta dhe konfliktet e armatosura 
  Investitorëve të  huaj, investimet e të cilëve pësojnë humbje si pasojë e luftës, konflikteve të  armatosura, gjendjes së jashtëzakonshme ose të situatave të tjera të përafërta  me to, u jepet një trajtim në mënyrë jo më pak të favorshme se sa ai që i bëhet  investitorëve vendas për sa i përket masave që merren në lidhje me këto humbje.
Neni  7 - Transferimet 
  1. Investitorët e huaj  kanë të drejtë të transferojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të  gjitha fondet dhe kontributet në natyrë që kanë të bëjnë me një investim të  huaj, duke përfshirë:
  a) të ardhurat;
  b) kompensimin sipas nenit 5 të këtij ligji;
  c) pagesat që rrjedhin si pasojë e një mosmarrëveshjeje investimi;
  ç) pagesat që kryhen sipas një kontrate, duke përfshirë edhe pagesat e huasë  dhe të interesit që kryhen në përputhje me një marrëveshje huaje;
  d) të ardhurat që rezultojnë nga shitja ose likuidimi i pjesshëm a i plotë i  një investimi;
  dh) të ardhurat që rezultojnë nga zvogëlimi i kapitalit të shoqërisë në  përputhje me legjislacionin shqiptar. 
  2. Investitorët e huaj kanë të drejtë të kryejnë këto transferime jashtë  territorit të Republikës së Shqipërisë në monedhë lehtësisht të konvertueshme,  llogaritur me kursin e këmbimit për transaksionet e çastit në ditën e  transferimit në monedhën që do të transferohet. 
  3. Republika e Shqipërisë mund të kufizojë të drejtën e transferimit  nëpërmjet zbatimit të paanshëm dhe jodiskriminues të ligjeve të karakterit të  përgjithshëm, duke përfshirë ato që kanë të bëjnë me pagimin e taksave dhe  plotësimin e detyrimeve dhe të vendimeve gjyqësore.
  Neni 8 - Zgjidhja e mosmarrëveshjeve 
  1. Nëse lind një mosmarrëveshje për një investim të huaj ndërmjet një  investitori të huaj dhe një pale private shqiptare apo një ndërmarrjeje ose  shoqërie shtetërore shqiptare, e cila nuk është arritur të zgjidhet me pajtim,  atëherë investitori i huaj mund të zgjedhë për ta zgjidhur mosmarrëveshjen  sipas çdo procedure të rënë dakord më parë dhe të zbatueshme. Nëse nuk është  parashikuar asnjë procedurë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, atëherë  investitori i huaj ka të drejtë t'i drejtohet një gjykate a arbitrazhi  kompetent të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me ligjet e saj. 
  2. Në qoftë se  lind një mosmarrëveshje për një investim të huaj ndërmjet një investitori të  huaj dhe administratës shtetërore të Republikës së Shqipërisë, e cila nuk është  arritur të zgjidhet në pajtim, atëherë investitori i huaj mund t'i drejtohet  një gjykate apo arbitrazhi kompetent të Republikës së Shqipërisë, në përputhje  me ligjet e saj. Në rast se mosmarrëveshja lind ose ka lidhje me shpronësimin,  kompensimin për shpronësimin ose diskriminimin, si dhe transferimet sipas nenit  7 të këtij ligji, atëherë investitori i huaj mund t'i drejtohet edhe Qendrës  Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve  ("Qendra") e ngritur nga Konventa për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të  investimeve ndërmjet shteteve dhe shtetasve të shteteve të tjera miratuar në  Uashington, më 18 mars 1965. 
  3. Çdo vendim i arbitrazhit ndërkombëtar sipas këtij neni  është përfundimtar dhe i parevokueshëm për të gjitha palët në mosmarrëveshje.  Republika e Shqipërisë merr përsipër të realizojë pa vonesë dispozitat e këtyre  vendimeve dhe të sigurojë zbatimin e tyre në territorin e saj.
  Neni  9 - Statusi i këtij ligji 
  1. Ligji nr.7594, datë 4.8.1992 "Për investimet e  huaja", si dhe çdo dispozitë tjetër ligjore ose akte të tjera nënligjore  që janë në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
  2. Në rast se dispozitat e këtij ligji nuk janë në përputhje me marrëveshjet  ndërkombëtare të rafitikuara nga Kuvendi Popullor, në të cilat Republika e  Shqipërisë ose Qeveria e Republikës së Shqipërisë është palë, këto të fundit do  të mbizotërojnë në atë masë që ato sigurojnë të drejta a mbrojtje më të madhe  për investitorët e huaj, se sa ato të parashikuara në këtë ligj.
  Neni  10 - Siguria kombëtare 
  Asgjë në këtë ligj nuk duhet të pengojë zbatimin nga  Republika e Shqipërisë të masave të nevojshme për ruajtjen e rendit publik,  plotësimin e detyrimeve të saj ndërkombëtare në lidhje me ruajtjen ose  vendosjen e paqes dhe sigurisë botërore, mbrojtjen e sigurinë kombëtare ose  interesat e mbrojtjes.
  Neni  11 - Publikimi i ligjeve 
  Republika e Shqipërisë do të publikojë të gjitha ligjet,  rregullat dhe procedurat, të cilat kanë lidhje me investimet e huaja.
  Neni  12 - Hyrja në fuqi 
  Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren  Zyrtare.
  Shpallur me dekretin nr.687, datë 10.11.10993 të Presidentit të Republikës së  Shqipërisë, Sali Berisha.
  Botuar në Fletoren Zyrtare nr.13, faqe 803.