LIGJ Nr.7764, datë 2.11.1993 - PËR INVESTIMET E HUAJA
Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 "Për dispozitat kryesore kushtetuese", me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI POPULLOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Neni 1 - Dispozita të përgjithshme
Për efekt të këtij ligji, me "territor" nënkuptohet territori nën sovranitetin e Republikës së Shqipërisë, duke përfshirë ujërat territoriale dhe zonën detare e shelfin kontinental, mbi të cilat Republika e Shqipërisë, në përputhje me normat ndërkombëtare, ushtron të drejtat e saj sovrane e ligjore.
"Investitor i huaj" Nënkuptohet:
a) çdo person fizik që është shtetas i një vendi të huaj; ose
b) çdo person fizik që është shtetas i Republikës së Shqipërisë, por me banim të përhershëm jashtë vendit; ose
c) çdo person juridik, që është themeluar sipas ligjit të një vendi të huaj, i cili drejtpërdrejt ose tërthorazi kërkon të kryejë ose është duke kryer një investim në territorin e Republikës së Shqipërisë në përputhje me ligjet e saj, ose ka kryer një investim në përputhje me ligjet që i përkasin periudhës nga data 31.7.1990 e në vijim.
"Investim i huaj" Nënkuptohet çdo lloj investimi në territorin e Republikës së Shqipërisë, të zotëruar drejtpërdrejt ose tërthorazi nga një investitor i huaj, i cili konsiston në:
a) pasuri të lujtshme dhe të palujtshme, të prekshme dhe të paprekshme, ose ndonjë lloj tjetër të drejte pasurore;
b) një shoqëri, të drejta që rrjedhin nga çdo formë pjesëmarrjeje në një shoqëri, me aksione etj.
c) huatë, detyrimet në të holla ose detyrimet në një veprimtari që ka vlerë ekonomike dhe që lidhen me një investim;
ç) pasurinë intelektuale, duke përfshirë veprat letrare dhe artistike, tekniko-shkencore, regjistrimet e zërit, shpikjet, projektet industriale, skemat e qarqeve të integruara, knoë hoë, markat tregtare, disenjot e markave tregtare dhe emrat tregtare;
d) çdo të drejtë të njohur me ligj ose kontrata, dhe çdo licencë ose leje të dhëna në përputhje me ligjet.
"Mosmarrëveshje për një investim të huaj" nënkuptohet çdo mosmarrëveshje ose pretendim që lind nga një investim i huaj ose që ka lidhje me të.
"Të ardhura" nënkuptohet një shumë parash, që rrjedh ose është e lidhur me një investim, duke përfshirë fitimin, dividentin, interesin, rivlerësimin e kapitalit, tarifat e drejtimit e të administrimiit, tarifat e asistencës teknike ose tarifa të tjera; ose kontribute në natyrë.
Neni 2 - Lejimi dhe trajtimi
1. Investimet e huaja në Republikën e Shqipërisë nuk kushtëzohen nga një autorizim paraprak. Ato lejohen dhe trajtohen mbi bazën e kushteve jo më pak të favorshme se ato që iu njihen investimeve vendase në kushte të ngjashme, me përjashtim të pronësisë mbi tokën, e cila rregullohet me ligj të veçantë.
2. Në të gjitha rastet dhe në çdo kohë investimet kanë trajtim të barabartë e të paanshëm, gëzojnë mbrojtje e siguri të plotë.
3. Në çdo rast investimet e huaja kanë një trajtim jo më pak të favorshëm se ai që i sigurojnë normat përgjithësisht të pranuara të së drejtës ndërkombëtare.
Neni 3 - E drejta e punësimit
Një shoqëri me pjesëmarrje të investimeve të huaja ka të drejtë të punësojë edhe shtetas të huaj.
Neni 4 - Shpronësimi dhe shtetëzimi
Investimet e huaja nuk do të shpronësohen ose shtetëzohen në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, nuk do të jenë objekt i ndonjë mase tjetër të barasvlefshme me to, me përjashtim të rasteve të veçanta në interes të përdorimit publik të përcaktuara me ligj, pa diskriminim, me kompensim të menjëhershëm, të përshtatshëm dhe efektiv e në përputhje me prodecurat ligjore.
Neni 5 - Kompensimi për shpronësimin dhe shtetëzimin
1. Kompensimi është i barasvlefshëm me vlerën reale të tregut të investimit të shpronësuar, menjëherë përpara se akti i shpronësimit të ndërmerrej ose të bëhej i njohur, kushdo prej tyre qoftë më i parë.
2. Kompensimi paguhet pa vonesë dhe përfshin edhe interesin që nga momenti i shpronësimit, i llogaritur me një normë të arsyeshme tregu; është plotësisht i transferueshëm dhe i konvertueshëm i llogaritur sipas kursit të shkëmbimit në treg në datën e shpronësimit.
3. Investitori i huaj ka të drejtë të kërkojë një rishikim të menjëhershëm nga autoritetet gjyqësore në përputhje me dispozitat e nenit 8 të këtij ligji, të aktit të shpronësimit ose kompensimit.
Neni 6 - Lufta dhe konfliktet e armatosura
Investitorëve të huaj, investimet e të cilëve pësojnë humbje si pasojë e luftës, konflikteve të armatosura, gjendjes së jashtëzakonshme ose të situatave të tjera të përafërta me to, u jepet një trajtim në mënyrë jo më pak të favorshme se sa ai që i bëhet investitorëve vendas për sa i përket masave që merren në lidhje me këto humbje.
Neni 7 - Transferimet
1. Investitorët e huaj kanë të drejtë të transferojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të gjitha fondet dhe kontributet në natyrë që kanë të bëjnë me një investim të huaj, duke përfshirë:
a) të ardhurat;
b) kompensimin sipas nenit 5 të këtij ligji;
c) pagesat që rrjedhin si pasojë e një mosmarrëveshjeje investimi;
ç) pagesat që kryhen sipas një kontrate, duke përfshirë edhe pagesat e huasë dhe të interesit që kryhen në përputhje me një marrëveshje huaje;
d) të ardhurat që rezultojnë nga shitja ose likuidimi i pjesshëm a i plotë i një investimi;
dh) të ardhurat që rezultojnë nga zvogëlimi i kapitalit të shoqërisë në përputhje me legjislacionin shqiptar.
2. Investitorët e huaj kanë të drejtë të kryejnë këto transferime jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në monedhë lehtësisht të konvertueshme, llogaritur me kursin e këmbimit për transaksionet e çastit në ditën e transferimit në monedhën që do të transferohet.
3. Republika e Shqipërisë mund të kufizojë të drejtën e transferimit nëpërmjet zbatimit të paanshëm dhe jodiskriminues të ligjeve të karakterit të përgjithshëm, duke përfshirë ato që kanë të bëjnë me pagimin e taksave dhe plotësimin e detyrimeve dhe të vendimeve gjyqësore.
Neni 8 - Zgjidhja e mosmarrëveshjeve
1. Nëse lind një mosmarrëveshje për një investim të huaj ndërmjet një investitori të huaj dhe një pale private shqiptare apo një ndërmarrjeje ose shoqërie shtetërore shqiptare, e cila nuk është arritur të zgjidhet me pajtim, atëherë investitori i huaj mund të zgjedhë për ta zgjidhur mosmarrëveshjen sipas çdo procedure të rënë dakord më parë dhe të zbatueshme. Nëse nuk është parashikuar asnjë procedurë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, atëherë investitori i huaj ka të drejtë t'i drejtohet një gjykate a arbitrazhi kompetent të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me ligjet e saj.
2. Në qoftë se lind një mosmarrëveshje për një investim të huaj ndërmjet një investitori të huaj dhe administratës shtetërore të Republikës së Shqipërisë, e cila nuk është arritur të zgjidhet në pajtim, atëherë investitori i huaj mund t'i drejtohet një gjykate apo arbitrazhi kompetent të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me ligjet e saj. Në rast se mosmarrëveshja lind ose ka lidhje me shpronësimin, kompensimin për shpronësimin ose diskriminimin, si dhe transferimet sipas nenit 7 të këtij ligji, atëherë investitori i huaj mund t'i drejtohet edhe Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve ("Qendra") e ngritur nga Konventa për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të investimeve ndërmjet shteteve dhe shtetasve të shteteve të tjera miratuar në Uashington, më 18 mars 1965.
3. Çdo vendim i arbitrazhit ndërkombëtar sipas këtij neni është përfundimtar dhe i parevokueshëm për të gjitha palët në mosmarrëveshje. Republika e Shqipërisë merr përsipër të realizojë pa vonesë dispozitat e këtyre vendimeve dhe të sigurojë zbatimin e tyre në territorin e saj.
Neni 9 - Statusi i këtij ligji
1. Ligji nr.7594, datë 4.8.1992 "Për investimet e huaja", si dhe çdo dispozitë tjetër ligjore ose akte të tjera nënligjore që janë në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
2. Në rast se dispozitat e këtij ligji nuk janë në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare të rafitikuara nga Kuvendi Popullor, në të cilat Republika e Shqipërisë ose Qeveria e Republikës së Shqipërisë është palë, këto të fundit do të mbizotërojnë në atë masë që ato sigurojnë të drejta a mbrojtje më të madhe për investitorët e huaj, se sa ato të parashikuara në këtë ligj.
Neni 10 - Siguria kombëtare
Asgjë në këtë ligj nuk duhet të pengojë zbatimin nga Republika e Shqipërisë të masave të nevojshme për ruajtjen e rendit publik, plotësimin e detyrimeve të saj ndërkombëtare në lidhje me ruajtjen ose vendosjen e paqes dhe sigurisë botërore, mbrojtjen e sigurinë kombëtare ose interesat e mbrojtjes.
Neni 11 - Publikimi i ligjeve
Republika e Shqipërisë do të publikojë të gjitha ligjet, rregullat dhe procedurat, të cilat kanë lidhje me investimet e huaja.
Neni 12 - Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.687, datë 10.11.10993 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.
Botuar në Fletoren Zyrtare nr.13, faqe 803.